Fadil Hadergjonaj falënderon votuesit pas zgjedhjes deputet: Do të jem zëri i qytetarëve në Kuvend
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhjet e 7 qershorit duke bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Përmes një mesazhi publik, Hadergjonaj e cilësoi rezultatin si dëshmi të besimit qytetar dhe të vlerave demokratike që bashkojnë qytetarët e Kosovës.
“Ky rezultat nuk është vetëm një sukses personal, ai është dëshmi e besimit tuaj, e vlerave demokratike që na bashkojnë dhe e përgjegjësisë së përbashkët që kemi ndaj shtetit tonë”, ka shkruar ai.
Hadergjonaj shprehu mirënjohje për të gjithë qytetarët që morën pjesë në procesin zgjedhor, me një falënderim të veçantë për votuesit dhe mbështetësit e LDK-së, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë.
Ai theksoi se besimi i marrë për herë të tretë nga qytetarët përbën nderin dhe obligimin më të madh për të si përfaqësues i zgjedhur.
“Ju siguroj se këtë besim do ta dëshmoj me punë, përkushtim dhe përgjegjësi. Do të jem zëri i qytetarëve, zëri i atyre që kërkojnë siguri, zhvillim, drejtësi dhe perspektivë”, u shpreh Hadergjonaj.
Deputeti i zgjedhur u zotua se në çdo vendim dhe angazhim të tij do të udhëhiqet nga interesi i Republikës së Kosovës, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, forcimi i institucioneve demokratike dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve.
Në fund të mesazhit, Hadergjonaj theksoi se Kosova mbetet amanet i brezave që sakrifikuan për liri dhe se do të vazhdojë të punojë për një shtet më të fortë, më të zhvilluar dhe më të bashkuar.
“Faleminderit për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit që më bëtë zërin tuaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, përfundoi ai. /Kosova.info/
