Hoti: Aleatët po e humbin besimin te institucionet e Kosovës
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në vend duke e quajtur “të tmerrshme” faktin se aleatët ndërkombëtarë kanë shprehur rezerva për legjitimitetin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, ky mosbesim tashmë ka arritur në atë pikë sa përfaqësuesit e shteteve aleate kanë vendosur të mos takojnë në zyrë asnjë anëtar të Qeverisë.
“Kjo ndodh kur kemi lidership që interesohet vetëm për interesa elektorale momentale, e jo për interesa shtetërore. Kështu shkatërrohet besimi i aleatëve në institucionet shtetërore të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Ai kritikoi edhe heshtjen e Presidencës duke theksuar se Zyra e Presidentit ka obligim kushtetues të sigurojë funksionimin normal të institucioneve.
“Prej Zyrës së Presidentit nuk guxon kush të nxjerrë zë, pavarësisht detyrimit kushtetues që ka kjo zyrë për të siguruar funksionimin kushtetues të institucioneve”, ka përfunduar Hoti. /Kosova.info/
