Hetime për votat me postë – Zeqa: Rivotimi i diasporës i palogjikshëm

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime lidhur me votimin përmes postës në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe verifikimin e informacioneve. Institucionet hetimore nuk kanë dhënë më shumë detaje për të mos cenuar procesin hetimor.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe verifikimin e informacioneve, mirëpo në këtë fazë të procedurës nuk mund të ofrojmë detaje më të hollësishme sepse do të cenohej procesi hetimor”, tha për Kosova.info Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ky proces hetimor vjen pas ankesave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar anulim dhe rivotim të votave nga diaspora, duke e cilësuar këtë mekanizëm si një skemë të organizuar kriminale. Sipas tyre, faktet për këtë çështje janë dorëzuar tashmë në polici dhe prokurori.

Ndërkohë, analisti politik Florim Zeqa thekson se çështja nuk qëndron tek efekti i 19 mijë votave të kontestuara të diasporës, por tek koha e fituar nga partia në pushtet për të siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë.

“Kërkesa për rivotim të diasporës është e palogjikshme dhe e paarsyeshme në aspektin ligjor! Pozicioni i partive politike për formimin e qeverisë mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja, por jo në përsëritje parciale të tyre,” deklaroi Zeqa për Kosova.info.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihen hapat e radhës të institucioneve hetimore dhe vendimmarrjes politike.


Go to TOP