“Hej Kosovë, edhe Sa?!” – Shoqata “Down Syndrome Kosova” kërkon veprime konkrete për të drejtat e personave me sindromën Down

Shoqata “Down Syndrome Kosova” ka shënuar Ditën Botërore të Sindromës Down me fushatën ndërgjegjësuese “Hej Kosovë, edhe Sa?!”, duke bërë thirrje për respektimin e plotë të të drejtave të personave me sindromën Down dhe zbatimin e ligjeve ekzistuese.

Ndonëse Kushtetuta e Kosovës garanton barazi dhe mbrojtje nga diskriminimi, personat me sindromën Down ende përballen me sfida serioze në shëndetësi, edukim, punësim dhe integrim social. Fushata e këtij viti synon të theksojë vonesat institucionale dhe kërkon veprime konkrete nga niveli qendror dhe lokal për të siguruar:

Miratimin e Projektligjit për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili mbetet pezull që nga viti 2021.

Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, që garanton shërbime shëndetësore dhe edukative për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Sigurimin e arsimit gjithëpërfshirës, duke garantuar infrastrukturë dhe mbështetje adekuate për nxënësit me nevoja të veçanta.

Përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në aktivitete kulturore dhe sportive, duke garantuar qasje të barabartë.

Aftësimin profesional dhe punësimin e personave me sindromën Down, sipas ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Sigurimin e shërbimeve psiko-sociale nga institucionet publike, për të mbështetur familjet dhe personat me sindromën Down.

Shoqata “Down Syndrome Kosova” kërkon që institucionet të veprojnë urgjentisht për të garantuar një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe për të respektuar të drejtat e garantuara me ligj për personat me sindromën Down dhe personat me aftësi të kufizuara. /Kosova.info/


Go to TOP