Haziri: Shuplaka e Uashingtonit për qeverinë Kurti duhet të dëgjohet nga Presidentja dhe Kuvendi
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën duke e quajtur këtë një “shuplakë” për Qeverinë Kurti.
Haziri tha se për tre vjet me radhë, SHBA ka ofruar mbështetje të pakushtëzuar për popullin e Kosovës dhe ka kërkuar në mënyrë të qartë veprime konkrete nga qeveria. Sipas tij, për shkak të vendimeve të gabuara dhe mosbashkëpunimit, Kosova është bërë lajm i keq në arenën ndërkombëtare.
“Kjo ‘shuplakë’ e Uashingtonit duhet të dëgjohet shumë. Duhet ta dëgjoj Presidentja e para, por edhe Kuvendi,” u shpreh Haziri duke shtuar se populli i Kosovës mbetet i mbrojtur nga qeveria amerikane, por jo kjo Qeveri dhe kabineti i saj.
Ai theksoi se marrëdhëniet speciale me SHBA-të janë rol historik dhe amanet i përhershëm, ndaj institucionet duhet të veprojnë për të ruajtur këtë mision.
“Ku e lamë, e ku na mbeti!”, përfundoi Haziri reagimin e tij. /Kosova.info/
