Haziri nga Lutjet e Mëngjesit në SHBA: Kosova drejt NATO-s, mbështetje e fuqishme nga Kongresi amerikan
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se këtë vit Lutjet e Mëngjesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se bashkimi në lutje përfaqëson edhe bashkim në kauzat e përbashkëta politike dhe shtetërore.
Haziri ka bërë të ditur se gjatë kësaj ngjarjeje ka zhvilluar takime me miq, burrështetas të vendeve të ndryshme, si dhe me kongresmenë e senatorë amerikanë. Sipas tij, dita e 4 shkurtit ka kulmuar me lutjet e përbashkëta të përfaqësuesve nga 107 shtete, në prani të Presidentit Donald Trump.
Ai ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO paraqet një mundësi të madhe në këtë fazë duke e cilësuar Kosovën evropiane si më të sigurt dhe më të zhvilluar ekonomikisht.
Haziri ka shprehur mirënjohje dhe falënderim ndaj Presidentit Donald Trump, administratës amerikane, kongresmenëve dhe senatorëve duke theksuar se shqiptaro-amerikanët mbeten patriotë të përkushtuar dhe mbështetës të vazhdueshëm të kauzës shqiptare.
Sipas tij, këtë vit Lutjet e Mëngjesit dëshmuan se bashkimi shpirtëror përkthehet në bashkim politik për çështje të përbashkëta. Ai shtoi se jo vetëm Republika e Kosovës, por edhe Lugina e Kosovës ka marrë mbrojtje dhe kujdes institucional nga Kongresi Amerikan.
Në fund, Haziri theksoi se vullneti i shprehur përmes referendumit është vullneti i vetëm që duhet të zbatohet. /Kosova.info/
