Haziri: Më 12 tetor ndodh rikthimi i madh i LDK-së në Anamoravë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i degës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka deklaruar se më 12 tetor pritet rikthimi i madh i kësaj partie në Anamoravë duke e cilësuar mbështetjen e qytetarëve si garanci për fitore plebishitare në zgjedhjet lokale.
Në një adresim publik, Haziri tha se Anamorava, e njohur për figurat e saj historike si Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, Hasan Alia dhe Agim Ramadani, do t’ia japë LDK-së gjithë mbështetjen dhe dashurinë. Ai theksoi se uniteti i plotë i strukturave të partisë, bashkimi i të gjitha gjeneratave dhe mbështetja përtej partisë janë tregues të qartë të fitores së 12 tetorit.
Haziri përmendi edhe kandidatët e LDK-së për komunat e rajonit: Arbër Ismajlin në Gjilan, Sokol Halitin në Viti, profesor Shaip Surdullin në Kamenicë, Bajrush Xhemajlin në Novobërdë dhe Përparim Ramadani, bartës i listës në Kllokot, të cilët sipas tij janë udhëheqës të kredibilë dhe shpresë për qytetarët e Anamoravës.
“Qytetarët e Anamoravës refuzojnë të identifikohen me depresion ekonomik e politik, refuzojnë të ecin në terr politik”, u shpreh Haziri duke shtuar se LDK është partia e besës dhe shpresës për qytetarët. /Kosova.info/
