Haziri: LDK zyrtarizon ekipin fitues për zgjedhjet lokale 2025 – besë dhe shpresë për Kosovën

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Lumir Abdixhiku, u zyrtarizua ekipi i kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, pas një procesi të brendshëm konsultativ të ndërtuar mbi besim dhe unitet të plotë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se ky ekip përfaqëson personalitete me kredenciale të larta, profesionistë të jashtëzakonshëm dhe njerëz me “duar të pastra”, që do të jenë simbol i besimit dhe shpresës për komunat e Kosovës.

Ai theksoi se për Gjilanin, kandidati i LDK-së do të angazhohet për t’ia rikthyer qytetit rolin e një kryeqendre të zhvillimit ekonomik, arsimit, sigurisë, kulturës dhe sportit.

“LDK ka ndërtuar një ekip fitues për 23 komuna, ndërkaq në ditët në vijim do t’i zyrtarizojmë edhe kandidatët tanë për Malishevë, Klinë, Kamenicë dhe Kaçanik, si dhe për komunat e tjera. Po ashtu, do ta finalizojmë edhe listën me mbi 994 këshilltarë lokalë”, tha Haziri.

Ai përmbylli deklaratën me moton e partisë për këto zgjedhje: “LDK, besë dhe shpresë për Kosovën.” /Kosova.info/


Go to TOP