Haziri: LDK i takon anëtarësisë, jo funksionarëve
Ish-nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka ritheksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është pronë e funksionarëve, por i përket anëtarësisë së saj.
“Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë saj, e cila më 19 nëntor 2023 vendosi për një mandat të ri të lidershipit,” deklaroi Haziri.
Ai kujtoi se kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, erdhi në krye të partisë nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, pas një rezultati zgjedhor historikisht të rëndë për LDK-në. “Ishte një kuvend përballimi me situatën, me frymë unifikuese dhe rrugëtim të përbashkët,” tha ai.
Duke komentuar zgjedhjet e fundit, Haziri theksoi se, pavarësisht mobilizimit të madh, rezultati nuk ishte ai që pritej. “Betejat e fituara nuk ta garantojnë fitoren përfundimtare, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti,” përfundoi ai. /Kosova.info/
