Haziri: Kuvendi shpërndahet vetëm kur dështon të zgjidhet qeveria
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri para fillimit të përpjekës së 43-të për konstituivin e Kuvendit ka thënë se ata që e vënë në opsion shpërndarjen e Kuvendit e dënimin e deputetëve, sipas tij, ata e vënë në funksion shantazhin politik.
“Marrëveshja politike bëhet me mirëbesim ,vendoset një rrugë të cilën fryma kushtetuese e kërkon. Në Kosovë nuk ka fitues të mëdhenj, ka fitues të parë, fitues me të drejtë të fituar të ulet të punojë me parti politike, me deputetë. Por, këto nuk po i shohim ende. Shpërndarja e Kuvendit vjen kur dështon Kuvendi të zgjedhë qeveri e jo kur dështon të konstituojë vetveten. Kjo është problem i partisë së parë, nuk është problem as i individit, as i deputetit, është çështje që i kërkohet partisë së parë të gjejë formë të ndërtojë një marrëveshje politike. Nuk mu ndesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe deputet edhe ministër, edhe me bomba edhe pa bomba. Nuk funksionon kjo situatë kështu”, tha Haziri para gazetarëve.
Ai foli edhe për situatën e krijuar të shtunën dhe alarmit e rrejshëm për sulmin me bombë.
“Falënderoj policinë e Republikës, organet e sigurisë që reagojnë në situata të tilla sepse alarmet e rrejshme dhe alarmet për bomba janë mendësi e atyre që Kosova i njeh shumë mirë, i di kush janë, e di çka janë. A flasin me theks sllav a flasin me theks krahinor të Kosovës dhe krahinave të shqiptarëve kudo që janë nuk është me rëndësi, me rendësi që krimi nuk ka etni, dhe ata që janë bashkërenduar dhe bashkërendohen për interesa politike me rrënuar Kosovën, me dëmtuar demokracinë e Kosovës, ata janë pa etni, ata kanë veç një qëllim. Janë armiku më i madh i demokracisë dhe i Republikës tonë”, tha Haziri.
