Haziri alarmon për krizë institucionale: Kosova pa Qeveri, pa Kuvend e shumë shpejt edhe pa Buxhet

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike dhe institucionale në vend duke paralajmëruar se Kosova po shkon drejt një krize të thellë funksionale. Sipas tij, vendi aktualisht është pa Qeveri funksionale, pa Kuvend të Republikës, pa Prokuror të Shtetit dhe shumë shpejt mund të mbetet edhe pa Buxhet.

Haziri ka theksuar se, si pasojë e vendimeve apo detyrimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kosova mund të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje – për herë të katërt brenda këtij viti – dhe këtë herë, sipas tij, është e domosdoshme që qytetarët të pyeten drejtpërdrejt.

Ai e përshkroi situatën si paradoksale duke thënë se asnjë institucion nuk po funksionon realisht për Republikën, ndërsa i vetmi element që “po e mban vendin me besë e shpresë” është përfaqësuesja e Kosovës në futboll, e cila sipas tij po sjell frymë pozitive në një kohë bllokadash të përgjithshme. Me ironi shtoi se “mirë që shpëtuan Logjikonomia” duke aluduar në gjendjen e mjerë të arsyes dhe vendimmarrjes politike në vend.

Reagimi i Hazirit vjen në kohën e tensioneve të vazhdueshme politike dhe bllokadave institucionale, që po e çojnë vendin drejt një cikli të ri zgjedhor dhe pasigurie të theksuar. /Kosova.info/


Go to TOP