Haxhiu për Listën Serbe: Në hapje të fushatës fyen Kurtin, prisnin kohën për t’u “çliruar” nga ai dhe thërrisnin “vëlla Millanin”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj veprimtarive të Listës Serbe gjatë hapjes së fushatës zgjedhore. Ajo ka kujtuar se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që kjo parti të mos certifikohej, me arsyetimin se nuk ishte distancuar nga sulmi i Banjskës duke shtuar se atëherë pati reagime të shumta ndaj qëndrimit të VV-së.

Sipas saj, i njëjti insistim u bë edhe për zgjedhjet lokale, por përsëri pati reagime të njëjta. Haxhiu theksoi se profilet e deputetëve të Listës Serbe tregojnë qartë një qëndrim anti-Kosovë dhe mbështetje për strukturat paralele.

“Dje, në hapje të fushatës, sërish të njëjtit fyen Kurtin, prisnin kohën për t’u ‘çliruar’ nga ai dhe thërrisnin ‘vëlla Millanin’. Kësaj radhe nuk pati reagime,” shkroi ajo.

Haxhiu kritikoi edhe shoqërinë civile duke thënë se ajo shpesh reagon kundër Vetëvendosjes kur kjo kundërshton Listën Serbe, ndërsa qëndron në heshtje kur kjo e fundit sulmon dhe fyen gjithçka që lidhet me Republikën e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP