Haxhiu: Nëse nuk i kam 61 vota me votim të fshehtë, tërhiqem

E propozuara për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu që është edhe ministre e Drejtësisë ka ripërsëritur kompromiset, siç ka thënë ajo, që kanë bërë për dalje nga kjo situatë.

“Nëse me votim të fshehtë unë nuk i kam 61 vota, unë kam thënë tërhiqem. Ky është kompromisi i parë që e kemi bërë. Në fakt ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi, por që është respektuar nga LVV-ja, dhe kompromisi i dytë ka qenë ai që le ta rrëzojmë bashkë komisionin për votim të fshehtë e të merremi vesh për kryetarin e nënkryetarët”, tha Haxhiu.

Argumentet e partive të deritashme opozitare, sipas Haxhiut nuk qëndrojnë.

“Së pari ata thonë që e keni ndryshuar rendin e dites, kjo nuk qëndron. Kryesuesi i seancës në përpikëri i është përmbajtur rendit të ditës dhe tani kemi mbetur tek pika e 3 që është zgjedhja e kryetarit. Nuk kemi bërë ndryshim të rendit të ditës dhe është në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, por po ashtu edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon që nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, një tjetër argument që nuk qëndron është ajo që thonë se duhet mocion procedural.

“Edhe kjo është e paqëndrueshme, sepse Kushtetuesja ka thënë se nuk është e përcaktuar mënyra se a shkohet me votim të fshehtë apo të hapur, dhe prandaj edhe pas gjashtë tentimesh me votim të hapur kryesuesi në përputhje me aktgjykimin e vitit 2014 dhe letrën e presidentes ka vazhduar me votimin e fshehtë. Ata që thonë se duhet votim para se të futemi në votim të fshehtë, duhet t’i pyesim se a është dashur të ketë votim kur kemi votuar hapur?”

Haxhiu ripërsëriti se përgjegjësia për konstituivin e Kuvendit nuk është veç e tyre, por e të gjithëve.

Gjykata Kushtetuese i ka barazuar kryetarin e nënkryetarët e Kuvendit. Në fakt në Kushtetutën e Kosovës janë në të njëjtin nen. Gjykata Kushtetuese sikur na ka obliguar neve për përpjekje për konsensus e kompromis, po ashtu i ka obliguar edhe opozitën që të kontribuojnë në këtë drejtim”, deklaroi Haxhiu.

E pyetur nëse do të heqë dore, Haxhiu tha se është e drejta e LVV-së të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit. “Nëse ne pranojmë që të tjerët të na caktojnë emrin e kryetarit të Kuvendit, atëherë kjo bie ndesh me vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Haxhiu.


Go to TOP