Havolli: Rruga “Qamil Hoxha” në Prishtinë po shndërrohet në zonë moderne për këmbësorë

Rruga “Qamil Hoxha” në qendër të Prishtinës po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, që përveç transformimit të sipërfaqes rrugore, përfshin edhe ndërhyrje të thella infrastrukturore nëntokësore.

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka bërë të ditur se kjo rrugë, që për një kohë të gjatë kishte nevojë për rikonstruksion, po rehabilitohet përmes largimit të asfaltit ekzistues dhe vendosjes së pllakave moderne, të përshtatshme për lëvizjen e këmbësorëve.

“Përveç sipërfaqes, po punojmë edhe në instalime të reja dhe funksionale nëntokësore, që do të përmirësojnë dukshëm rrjetin teknik dhe sigurinë e kësaj zone,” ka deklaruar Havolli.

Ky projekt është pjesë e vizionit të Komunës për të krijuar hapësira më të sigurta, të gjelbra dhe të qasshme për qytetarët duke transformuar qendrën e qytetit në një ambient më të përshtatshëm për jetesë urbane moderne. /Kosova.info/

Go to TOP