Haradinaj për “Contour Globalin”: Do t’i jepte Kosovës pavarësi energjetike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencë për media, i është përgjigjur kritikave të kryeministrit  Kurti, i cili në mbledhjen e djeshme të Qeverisë fajësoi kryetarin e AAK-së për nënshkrimin e kontratës me “Contour Globalin” e për të cilën Kosova do të paguajë 21 milionë euro pasi humbi arbitrazhin.

Haradinaj ka këmbëngulur se investimi i “Contour Globalit” do t’i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi energjetike.

“Investimi i ‘Contour Globalit’ do të kishte qenë investimi më i madh në Kosovë. Termocentrali ‘Kosova e Re’ do t’i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi energjetike. Ky projekt do ta bënte Kosovën të pandikueshme nga lufta në Ukrainë sa i përket çmimit të energjisë. Çmimi i megavatit të prodhuar në Kosovë do të ishte shumë më i lirë. Madje do të shisnim energji. Kosova vazhdon të mbetet e varur nga GEN-i. Kriminelët kthehet në vendin e krimit shpesh sepse nuk ndëshkohen. Kurti dhe klika e tij që e kanë kundërshtuar ‘Contour Globalin’ janë kriminelë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, Kosova vazhdon me mbetet e varur nga furnitorët tjerë dhe vazhdon me blejë energji prej tyre edhe pse ka ndodh pavarësimi energjetik.

“Ende paguhet energjia e humbur në Qeveri. Suksesi më i madh ekonomik dhe gjeopolitik dhe sigurisë prej Serbisë dhe Rusisë është pikërisht investimi. Qeveria Kurti duke e kundërshtuar këtë investim dhe duke i dërguar shkresë për ndërprerje e ka liruar nga obligimi me vazhdu me siguri financimin për projekt”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri Kurti të mërkurën ka thënë se projekti i “Contour Globalit” nuk ka qenë i ideuar që të realizohet e as që të jetë i dobishëm për Kosovën.

Në fund të vitit 2017, Qeveria e ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë, i cili do të kushtonte 1.3 miliardë euro. Vetëvendosja ka qenë kundër kushteve të kontratës. Dhe, me ta marrë pushtetin kjo parti, “Contour Global” qe tërhequr.

Go to TOP