Haradinaj: Mitrovica qytet model vetëm me anëtarësimin direkt në NATO

Mitrovica do të jetë qytet model, i zhvilluar dhe i sigurt, vetëm me anëtarësimin e Kosovës direkt në NATO, ka thënë kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët – Forumi E30 dhe Lista Ideal, Ramush Haradinaj, në tubimin zgjedhor në këtë qytet.

“Sigurinë e plot nuk mund ta arrijmë pa të, sigurinë ekonomike jo se jo, e as sigurinë në energji”, tha Haradinaj.

Ndërsa partnerët në koalicion, Limaj e Klinaku thanë se kanë plan të qartë për fuqizimin e Trepçës dhe premtuan ndërtimin e xhamisë së Ibrit.

“Mitrovicës do t’ia kthejmë zhvillimin dhe simbolin e Mitrovicës, xhaminë e Ibrit”, tha Abdullah Klinaku, kryetar i Demokracisë Konservatore.

“Ne e kemi modelin për ta rikthyer Trepçen. Ejani të bashkohemi në këtë koalicion fitues e ta kthejmë ekonominë fuqishëm në Mitrovicë. Sot minatori është keq, Trepça është duke mbijetuar e pak pa vdekur”, tha Limaj, kryetar i Nismës.

Koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal në tubimin zgjedhor të mbajtur në Mitrovicë kanë prezantuar edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë.


Go to TOP