Haradinaj kërkon heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës në takim me Kaja Kallas
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Përfaqësuesen e Lartë dhe Zëvendëspresidente të Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj zyrtare në Prishtinë.
Haradinaj tha se kishte nderin ta takonte znj. Kallas dhe vlerësoi lart angazhimin e saj dhe të Bashkimit Evropian në përkrahje të Kosovës dhe stabilitetit në rajon. Gjatë bisedës, ai theksoi domosdoshmërinë e heqjes së menjëhershme të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të raporteve me BE-në.
“Shpreha nevojën urgjente për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës dhe njëkohësisht nënvizova rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian,” deklaroi Haradinaj pas takimit.
Ai rikonfirmoi përkushtimin e AAK-së ndaj vlerave perëndimore dhe integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike duke e cilësuar partneritetin me BE-në si jetik për të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit. /Kosova.info/
