Haradinaj: Besëlidhja e Lezhës dëshmi se bashkimi është forca e shqiptarëve
Kryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Besëlidhjen e Lezhës, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se Besëlidhja e Lezhës mbetet simbol i unitetit dhe bashkimit kombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e saj edhe në rrethanat aktuale.
“Besëlidhja e Lezhës mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Nëse ka një mesazh që na vjen nga ajo ditë e para 582 viteve, është se bashkimi dhe uniteti mes shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten e vetmja rrugë për ta çuar përpara vendin tonë dhe popullin e tij të mrekullueshëm”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar lart figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke e cilësuar si shembëlltyrë të shqiptarit që e pa popullin si një të vetëm.
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu është shembëlltyra e shqiptarit që e pa popullin si një të vetëm, vizioni i tij ishte i jashtëzakonshëm për kohën dhe mbetet model frymëzimi edhe sot”, ka thënë ai.
Në fund të mesazhit të tij, Haradinaj ka uruar: “Rrofshin shqiptarët kudo që janë!”. /Kosova.info/
