Hegseth: Operacioni kundër Iranit nuk është për ndryshim regjimi
Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, theksoi të hënën se operacionet ushtarake aktuale kundër Iranit nuk synojnë rrëzimin e regjimit të vendit, pavarësisht se kjo “ka rezultuar në ndryshime të dukshme” në strukturën udhëheqëse të Teheranit.
Hegseth u shpreh në një konferencë për shtyp në Pentagon së bashku me Gjeneralin Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, duke përshkruar operacionin ushtarak, të koduar si “Operation Epic Fury”, si një fushatë ushtarake të fokusuar e të caktuar, me objektiva të qarta strategjike.
“Kjo nuk është një luftë për ndryshim regjimi, por regjimi me siguri ndryshoi”, tha Hegseth, duke nënvizuar se qëllimi kryesor është zhdukja e kapaciteteve ushtarake të Iranit, përfshirë sistemet e raketave sulmuese, prodhimin e raketave, marinën dhe infrastruktura të tjera të sigurisë.
Operacioni i SHBA-së dhe Izraelit nisi më 28 shkurt, duke shkaktuar vdekjen e udhëheqësit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të sigurisë, në një goditje që përshkruhet si një ndër përplasjet më të mëdha ushtarake në rajon që prej dekadash.
Hegseth shtoi se qëllimi i operacionit është të parandalojë Iranin që të krijojë ose përdorë armë bërthamore, si dhe të dobësojë aftësitë e tij raketore dhe ushtarake, që sipas tij përbëjnë një kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Ai gjithashtu bëri të qartë se këtë konflikt nuk e sheh si një luftë “të pafundme”, duke u përpjekur të qetësojë debatet në lidhje me pritshmëritë e përfshirjes amerikane në rajon.
Ndërkaq, gjeneral Caine konfirmoi se operacioni përfshin sulme në objektiva të shumta ushtarake, duke përfshirë sisteme mbrojtjeje ajrore dhe baza të rëndësishme iraniane, dhe se forcat amerikane do të vazhdojnë të përmbushin objektivat e tyre operacionale.
