Haradinaj: Albin Kurti sulmon Kushtetuesen, por fajin e bllokimit e ka vetëm ai

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për Gjykatën Kushtetuese, shkruan Kosova.info.

Haradinaj ka thënë se është e dhimbshme që një kryeministër aktual dhe pretendues për të udhëhequr sërish qeverinë, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vend, por e sulmon “egër e ulët”.

Ai ka akuzuar Kurtin për shkelje të njëpasnjëshme të Kushtetutës, ndërsa sipas tij, fajin për bllokimin e Kuvendit dhe shtetit e mban vetëm kreu i Qeverisë.

“Kjo ma kujton shprehjen popullore kur ‘hajni bërtet kapeni hajnin’. Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës, e jo formacionet imagjinare të tij”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e shkeljeve, por të përcaktojë edhe pasojat ligjore për individët ose grupet që i kryejnë ato.

“Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi”, ka theksuar Haradinaj./Kosova.info/


Go to TOP