Hapet Panairi i Librit në Prishtinë
Është hapur edicioni i 25-të i Panairit të Librit në Prishtinë në ambientet e Pallatit të Rinisë.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, tha se ky panair ka shërbyer gjithnjë si dritarja kryesore e leximit në Kosovë.
“Libri vijon të jetë porta magjike më e afërt dhe më e ndier për njeriun”, tha ai.
Ndërkaq Sibel Halimi, drejtoreshë e Kulturës në komunën e Prishtinës, tha se ky panair është rikthim te burimi më njerëzor i dijes dhe i urtësisë, te libri.
“Në çdo faqe libri gjendet mundi i një autori që ka ditur të dëgjojë, të pyesë dhe të imagjinojë”, ka thënë Halimi.
Kurse Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, tha se ky “panair i librit është një ngjarje e rëndësisë së veçantë për emancipimin e shoqërisë”.
