Hapet Muzeu “Eksodi ’99” në Prishtinë, 48 rrëfime që dëshmojnë dëbimin masiv të shqiptarëve gjatë luftës

Muzeu “Eksodi ’99” do të hapet të mërkurën, më 10 qershor, në ora 19:30, pranë Stacionit të Trenave në Prishtinë duke sjellë para publikut një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së Kosovës.

I vendosur në hapësirën simbolike të linjës hekurudhore Prishtinë – Han i Elezit, muzeu kujton përjetimet e qindra mijëra qytetarëve shqiptarë të Kosovës që u dëbuan me forcë nga regjimi serb gjatë periudhës mars–qershor 1999.

Producentja e muzeut është gazetarja e njohur Jeta Xharra, njëherësh drejtoreshë e BIRN Kosova, ndërsa ekspozita është kuruar nga Gazmend Ejupi. Në të prezantohen 48 rrëfime autentike të njerëzve që përjetuan eksodin, të treguara 27 vjet pas ngjarjeve.

Ekspozita sjell dëshmi të fuqishme të dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës, të cilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre me trena të mbushur përtej kapaciteteve, drejt Maqedonisë së Veriut. Shumë familjeve iu morën dokumentet personale, ndërsa lagje të tëra u zbrazën me forcë, në atë që konsiderohet një nga zhvendosjet më të mëdha të detyruara në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas organizatorëve, “Eksodi ’99” synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të mos lejojë harresën e përjetimeve të mijëra qytetarëve. Historitë e ekspozitës ndahen në katër tema kryesore: dëbimi, jeta në kampet e refugjatëve, mikpritja nga familjet në vendet pritëse dhe kthimi në Kosovë pas luftës.

Në muze përfshihen edhe rrëfime të atyre që nuk u larguan nga vendi duke treguar për fshehjen gjatë luftës, pjesëmarrjen në rezistencën e armatosur, si dhe ngjarje tragjike, përfshirë momentin kur politikani i njohur Fehmi Agani u nxor nga treni dhe më pas u vra.

Përmes këtyre dëshmive, muzeu sjell historitë e njerëzve që i mbijetuan dëbimit masiv, u kthyen në Kosovë dhe rindërtuan jetën e tyre, pavarësisht përpjekjeve të organizuara për spastrim etnik.

Muzeu “Eksodi ’99” është pjesë e iniciativës së Muzeut “Reporting House”, i themeluar nga BIRN Kosova dhe Prishtina Biennale.

Organizatorët kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes dhe të njihen nga afër me rrëfimet që dokumentojnë një nga periudhat më të rëndësishme dhe më të dhimbshme të historisë së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP