Arta Avdiu Drejtoreshë e Festivalit të Këngës

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka emëruar Arta Avdiu në pozitën e Drejtoreshës së edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK. Vendimi është marrë sot, përmes votimit elektronik, ku anëtarët e Bordit votuan unanimisht për emërimin e saj në këtë pozitë.

Në njoftimin e Bordit të RTK-së bëhet e ditur se ky vendim vjen pas dorëheqjes së parevokueshme të Rilind Gërvallës nga pozita e Drejtorit të Festivalit të Këngës në RTK për edicionin e katërt.

“Pas dorëheqjes së parevokueshme të z. Rilind Gërvalla, Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së i ka paraqitur Bordit propozimin për emërimin e znj. Arta Avdiu në këtë pozitë”, thuhet në njoftim.

Sipas Bordit të RTK-së, vendimi për emërimin e Avdiut është marrë duke u bazuar në përvojën e saj profesionale, angazhimin dhe kontributin e dhënë në organizimin e edicioneve të mëparshme të Festivalit të Këngës në RTK.

“Bordi i RTK-së, duke marrë parasysh propozimin dhe vlerësimin e Drejtoreshës së Përgjithshme lidhur me përvojën profesionale, angazhimin dhe kontributin e znj. Arta Avdiu në organizimin e edicioneve të mëparshme të Festivalit të Këngës në RTK, emëroi atë në këtë pozitë”, theksohet në komunikatën zyrtare.

Me marrjen e kësaj detyre, Arta Avdiu do të udhëheqë përgatitjet dhe realizimin e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK, një nga ngjarjet kryesore muzikore të transmetuesit publik.

“Bordi i RTK-së mbetet i përkushtuar për organizimin dhe realizimin me sukses të edicionit të IV të Festivalit të Këngës në RTK, si një aktivitet i rëndësishëm i kultivimit të artit muzikor dhe si pjesë e veprimtarisë programore e kulturore të transmetuesit publik”, përfundon njoftimi i RTK-së.


Go to TOP