Hamiti: Qytetarët do të jetojnë me pasojat e zgjedhjeve, 2025 ishte vit i paralizës së shtetit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 duke vlerësuar se qytetarët e Kosovës do të përballen me pasojat e zgjedhjeve të tyre, njësoj si pas zgjedhjeve të viteve 2021 dhe 2025.
Në një deklaratë publike, Hamiti theksoi se vota e qytetarëve ka favorizuar sërish, sipas tij, një formacion të ekstremit të majtë duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti. Ai renditi një sërë pasojash që, sipas tij, Kosova i ka përjetuar gjatë qeverisjes së VV-së, përfshirë izolimin ndërkombëtar, vendosjen e sanksioneve dhe varfërimin e përgjithshëm të qytetarëve.
Hamiti e cilësoi vitin 2025 si një periudhë të “paralizës së plotë të shtetit” duke akuzuar fituesin e zgjedhjeve për dështim të thellë në qeverisje, i cili, sipas tij, u shpërblye sërish me votë qytetare në fund të vitit.
“Ky dështim kolosal u shpërblye”, shkroi Hamiti duke nënvizuar se pasojat politike, ekonomike dhe institucionale do të ndihen edhe në vitet në vijim.
Reagimin e tij, Hamiti e mbylli me një urim për Vitin e Ri 2026, në një ton kritik dhe reflektues për të ardhmen politike të vendit. /Kosova.info/
