Hamiti kritikon Kurtin: Kosova nën sanksione të BE-së tash e 27 muaj, bilanci ekonomik katastrofal
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për “forcimin e pasaportës së Kosovës”. Ai ka kërkuar nga Kurti që të flasë edhe për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat, sipas tij, janë pasojë e politikave të gabuara të qeverisë aktuale.
“Për fajin e politikave të tij, Kosova është nën regjim të ashpër sanksionesh të BE-së tash e 27 muaj, prej 28 qershorit 2023. Bilanci i deritanishëm është katastrofal: 600-700 milionë euro të pezulluara për projekte jetike për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hamiti.
Ai shtoi se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën duke theksuar se pozita ndërkombëtare e vendit është dobësuar ndjeshëm në kohën e qeverisjes Kurti.
Sipas Hamitit, përderisa kryeministri flet për suksese diplomatike, realiteti tregon një izolim të thelluar dhe dëme të mëdha për ekonominë dhe imazhin e Kosovës. /Kosova.info/
