Hamiti: Albin Kurti po sundon kundërligjshëm, është precedent i rrezikshëm për rendin demokratik
Profesori dhe ish-këshilltari presidencial, Muhamet Hamiti, ka reaguar ashpër ndaj vazhdimit të qëndrimit të Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës pas rrëzimit të saj nga Kuvendi më 26 tetor 2025.
Hamiti ka theksuar se Kurti, si deputet dhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, po e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke ushtruar njëkohësisht funksionin ekzekutiv, gjë që sipas tij është e ndaluar me ligj.
“Deputeti Albin Kurti, lider i VV-së, po sundon kundërligjshëm, po e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës prej pranverës duke qëndruar në krye të Qeverisë së Kosovës. Deputeti nuk mund të ketë njëherësh edhe post ekzekutiv, simbas Kushtetutës sonë”, ka deklaruar Hamiti.
Ai ka paralajmëruar se ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm për rendin demokratik dhe kushtetues të vendit.
“Kosova është përtej Kurtit me vullnet qytetar, parlamentar dhe kushtetues”, ka përfunduar Hamiti duke theksuar se mandati politik i Kurtit ka marrë fund me vendimin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. /Kosova.info/
