Hamiti: Albin Kurti është deputet i papërgjegjshëm, ka uzurpuar pushtetin dhe po shkel Kushtetutën

Ish-ambasadori dhe ish-këshilltari presidencial, njëherësh anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti  duke e cilësuar atë si një deputet të papërgjegjshëm që ka uzurpuar pushtetin dhe po drejton Qeverinë në kundërshtim me rendin kushtetues.

“Deputeti Albin Kurti është njeri i papërgjegjshëm. Mund të jetë njëri nga 120 deputetët e Kosovës. Edhe udhëheqës i VV-së, por jo i Kosovës”, ka shkruar Hamiti në një reagim të publikuar në rrjete sociale.

Sipas tij, Kurti e ka “zaptuar” pushtetin ekzekutiv dhe po e përdor atë në mënyrë të njëanshme duke injoruar detyrimet kushtetuese dhe duke e futur vendin në krizë të thellë politike dhe institucionale.

“Deputeti Albin Kurti e ka zaptuar pushtetin. Po e drejton Qeverinë e Kosovës në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thekson Hamiti.

Ai gjithashtu i ka rikujtuar opinionit publik se më 28 qershor mbushen dy vjet prej se Bashkimi Evropian vendosi sanksione ekonomike ndaj Kosovës, për shkak të sjelljes së Qeverisë Kurti në raport me situatën në veri të vendit dhe mungesën e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

“Sot bëhen dy vjet që, për fajin e Qeverisë Kurti, BE-ja i vendosi Kosovës sanksione të ashpra ekonomike që po i vuajnë qytetarët e vendit tonë”, ka shtuar ai. /Kosova.info/


Go to TOP