Hallet e pacientëve nuk dorëzohen në kuti ankesash, dërgohen online
Një zyrë dhe linjë telefonike e dedikuar për ankesat e pacientëve në kuadër të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve ka katër vjet që nuk funksionon.
Megjithatë, letrat njoftuese vazhdojnë të qëndrojnë nëpër hapësirat e klinikave të QKUK-së.
Sidoqoftë, kutitë e ankesave janë valide, por me rol dukshëm më të ulët se sa në të kaluarën, njofton Klan Kosova.
U.D i Drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli tha se hapet për çdo tre muaj, megjithatë për klinikën të cilën e drejton thekson se janë jashtëzakonisht të rralla ankesat përmes kutive të ankesave.
Derisa shton se në këtë ka ndikuar, ankimimi i drejtpërdrejtë në klinikë, media dhe rrjete sociale.
Pos këtu, ankesat e pacientëve bëhen edhe në drejtorinë e ShSKUK-së, qoftë në formë elektronike dhe atë fizike, të cilat trajtohen nga një komision përkatës.
Mirëpo, kohëve të fundit, qytetarët e pakënaqur me shërbimet mjekësore në institucione publike, i drejtohen direkt edhe Inspektoratit Shëndetësor, 68 sosh vetëm në muajin maj.
Veç këtyre, pacientët kanë në dispozicion edhe një linjë telefonike falas të inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
