Halitaj: Manipulimi i votës është bërë kulturë politike – hajnia mbetet hajni, pavarësisht partisë

Gazetari Agron Halitaj ka reaguar ashpër lidhur me manipulimet e votave brenda partive politike duke theksuar se këto dukuri nuk janë të reja, por për fat të keq janë shndërruar në praktikë sistematike ndër vite.

Sipas Halitajt, kur vjedhja elektorale përhapet gjerësisht dhe nuk ndëshkohet në mënyrë meritore nga institucionet e drejtësisë, ajo fillon të normalizohet dhe me kalimin e kohës shndërrohet në kulturë politike. Ai vlerëson se tjetërsimi i votës së një kandidati në favor të një tjetri përbën shkelje të rëndë të vullnetit të qytetarëve dhe përpjekje për të ndërtuar një përfaqësim parlamentar me legjitimitet të vjedhur.

Halitaj kritikon qasjen e militantëve partiakë që akuzojnë vetëm kundërshtarin duke theksuar se manipulime të brendshme me vota kanë ndodhur në të gjitha partitë politike. Sipas tij, është e kotë që militantët e Lëvizjes Vetëvendosje ta shigjetojnë PDK-në, ashtu siç është e pabazë që mbështetësit e PDK-së të arsyetohen me faktin se edhe në LVV ka pasur raste të tilla.

Ai shton se as mbështetësit e LDK-së dhe AAK-së nuk duhet të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, pasi edhe brenda këtyre partive janë evidentuar raste të ngjashme. “Secila parti ka qenë e përfshirë në manipulime të brendshme sipas takatit të vet”, thekson Halitaj.

Në fund, gazetari bën thirrje që shoqëria të mos e relativizojë këtë fenomen si pjesë të “lojës së brendshme” të partive, ndërsa institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë këto raste me forcën e ligjit.

“Hajnia të është hajni dhe nuk ka pse të krahasohet se kush ka vjedhur më shumë e kush më pak,” përfundon reagimin e tij Agron Halitaj. /Kosova.info/


Go to TOP