Halimi i reagon Sveçles: Kosova është vend i lirë dhe nuk do ta lejojë instalimin e shtetit policor

Ndaj deklaratave të ministri Xhelal Sveçla ka reaguar edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

Ajo përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se sulmi që po u bëhet vlerave më bazike të mendimit dhe shprehjes së lirë nga kjo kastë politike, kërkon reagim gjithëshoqëror dhe dënim pa hezitim.

Sipas saj, Kosova është vend i lirë dhe nuk do ta lejojë instalimin e shtetit policor.

Postimi i saj i plotë:

I papranueshëm dhe i rrezikshëm etiketimi i dy gazetarëve, Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi nga Ministri i Punëve të Brendshme. Sulmi që po u bëhet vlerave më bazike të mendimit dhe shprehjes së lirë nga kjo kastë politike, kërkon reagim gjithëshoqëror dhe dënim pa hezitim.

Shoqëria duhet të jetë kohezive në luftimin e kësaj mendësie parapolitike e primitive, që po e shpie vendin drejt një diktature.

Qytetarët nuk duhet të bien pre e kësaj gjuhe të urrejtjes dhe polarizimit që vije nga eksponentët e këtij pushteti. Ata duhet të mobilizohen për mospranim të kësaj gjuhe urrejtjeje e të angazhohen për paqe e komunikim civil.

Kosova është vend i lirë dhe nuk do ta lejojë instalimin e shtetit policor.

Go to TOP