Hajdari lanson tri thirrje publike për ndërmarrjet, synon rritjen ekonomike

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në konferencë për medie ka shpalosur lansimin e tri thirrjeve publike për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese.

“Nga vlera prej 2.5 milionë euro, 1.7 milion euro do të jenë për grant-skemën për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, 500 mijë euro për grant-skemën për certifikimin e produkteve, si dhe 300 mijë euro për grant-skemën për digjitalizimin e bizneseve”, ka thënë Hajdari.

Sipas ministres, përkrahja financiare do të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit, përmirësimin e bilancit tregtar, rritjen e investimeve dhe punësimit, duke përfshirë edhe nxitjen e bizneseve për kontribuim.

“Sektorët prioritar me potencial janë përpunimi i produkteve ushqimore, prodhimi dhe përpunimi i pijeve, prodhimi dhe përpunimi i drunjve dhe mobileve, prodhimi dhe përpunimi i produkteve kimike, prodhimi dhe përpunimi  i produkteve të gomës dhe plastikës, prodhimi dhe përpunimi i produkteve minerale jometalike, prodhimi dhe përpunimi i metaleve dhe produkteve të fabrikuara metalike”, ka thënë ajo.

Pjesë bëjnë edhe prodhimi dhe përpunimi i pajisjeve elektrike, makinerisë dhe pajisjeve për këtë. Ndërkaq grant-skema për digjitalizimin e bizneseve përfshin një game më të gjerë investimesh.

Go to TOP