Hadergjonaj: Qytetarët i thanë “PO” LDK-së, ndryshimi ka nisur

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj me numër 22, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në hapjen e fushatës zgjedhore.

Përmes një mesazhi publik, Hadergjonaj theksoi se pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dëshmoi mbështetjen për vizionin e LDK-së dhe refuzimin e krizës, bllokadës dhe stagnimit në vend.

“Sot, qytetarët i thanë PO Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata u bashkuan me vizionin tonë dhe e bënë të qartë se Kosova nuk pranon më stagnim”, ka deklaruar ai.

Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për, siç e quajti, “hapjen madhështore” të fushatës duke shtuar se përkrahja e qytetarëve është motiv shtesë për të vazhduar drejt fitores në zgjedhjet e 7 qershorit.

Hadergjonaj bëri thirrje për angazhim të përbashkët në ditët në vijim duke theksuar se vetëm me unitet mund të bindet elektorati se LDK-ja është alternativa e duhur për qeverisjen e vendit.

“Sot ishim shumë, nesër do të jemi edhe më shumë. Ndryshimi ka nisur. Bashkohu!”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP