Hadergjonaj: Kosova ka nevojë për mençuri, jo përplasje

Fadil Hadergjonaj Bjeshka, një nga figurat e njohura të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ushtar i Republikës së Kosovës, ka shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit duke u rreshtuar sërish në mesin e 110 kandidatëve të listës së LDK-së.

Në një adresim publik, Hadergjonaj u shpreh se besimi që qytetarët i dhanë në zgjedhjet e muajit shkurt mbetet një ndër nderimet më të mëdha të jetës së tij politike dhe profesionale. Ai kujtoi kontributin e tij në luftën për liri dhe punën e palodhur në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

“Si ushtar i Republikës së Kosovës, jam betuar se do t’i shërbej vendit me tërë potencialin tim njerëzor e profesional. Ky betim më udhëheq çdo ditë”, theksoi ai duke shtuar se shteti ka nevojë për institucione funksionale, profesionale dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

Hadergjonaj vuri theks të veçantë në domosdoshmërinë e një qasjeje të matur politike. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për mençuri, bashkëpunim institucional dhe dialog politik të ndershëm, e jo përplasje e polarizim që dëmtojnë stabilitetin.

Në fjalën e tij, kandidati i LDK-së nënvizoi rëndësinë jetike të ruajtjes dhe forcimit të partneriteteve ndërkombëtare, sidomos lidhjeve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera aleate. “Rruga jonë euroatlantike kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe angazhim të përbashkët”, u shpreh ai duke rikujtuar amanetin e Presidentit Rugova për miqësinë e përhershme me SHBA-në.

Në fund, Hadergjonaj u bëri thirrje qytetarëve që t’i japin mbështetjen e tyre njësoj si në zgjedhjet e para, për të çuar përpara vizionin për një Kosovë të sigurt, të qetë dhe të zhvilluar.

Ai kandidon me numrin 20 në listën e LDK-së, ndërsa numri i subjektit është 123. /Kosova.info/


Go to TOP