35-vjetori i Lidhjes së Arsimtarëve ‘Naim Frashëri’: Ftesë publike për mësimdhënësit dhe pronarët e Shtëpive-Shkolla
Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” po shënon një moment të rëndësishëm historik, 35-vjetorin e themelimit të saj. Në këtë kuadër, Këshilli Organizativ i manifestimit ka bërë një ftesë publike drejtuar të gjithë mësimdhënësve dhe pronarëve të Shtëpive-Shkolla duke i ftuar ata të marrin pjesë në ceremoninë qendrore të këtij jubileu të veçantë.
Ngjarja solemne do të zhvillohet më 12 dhjetor 2025 (e premte), në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Universitetit të Prishtinës, në objektin e Institutit të Historisë “Ali Hadri”. Ceremonia do të nisë në ora 12:00, ku krahas shënimit të përvjetorit, do të bëhet edhe promovimi i librit “Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ‘Naim Frashëri’” të autorit prof. Zijadin Gashi.
Ky manifestim pritet të mbledhë personalitete të arsimit, figura publike dhe kontribuues të arsimit shqip duke rikujtuar rrugëtimin, sakrificat dhe rolin vendimtar që Lidhja e Arsimtarëve “Naim Frashëri” ka pasur në jetësimin e arsimit në periudha të vështira historike.
Organizatorët theksojnë se pjesëmarrja e mësimdhënësve dhe aktorëve të arsimit është një nderim për trashëgiminë e përbashkët dhe një mënyrë për të forcuar lidhjen me këtë organizatë që ka lënë gjurmë të thella në historinë e arsimit shqiptar.
“Ju mirëpresim!”, përfundon ftesa zyrtare. /Kosova.info/
