Hadergjonaj: Drejtësia për Tahir Zemajn ende mungon – plagë e hapur e pasluftës
Deputeti i LDK-së dhe bashkëluftëtari i Kolonel Tahir Zemajt, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, ka kujtuar sot jetën dhe veprën e Kolonel Tahir Zemajt, si dhe të birit të tij Enisit dhe kushëririt Hasanit, në 23-vjetorin e vrasjes së tyre.
Në Strellc të Deçanit, Hadergjonaj bashkë me familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë, vendosën lule dhe u përkulën me respekt pranë varreve të tyre, ndërsa homazhe u bënë edhe pranë shtatores së Kolonel Zemajt në Pejë.
Ai vlerësoi lart figurën e Kolonel Tahir Zemajt duke e cilësuar si strateg lufte dhe ushtarak me përvojë të jashtëzakonshme profesionale, njohuri të thella dhe shkathtësi të larta drejtuese. Sipas Hadergjonajt, Zemaj ishte udhëheqës i guximshëm dhe i vendosur, i cili i dha drejtim dhe profesionalizëm luftës çlirimtare të Kosovës.
“Është thellësisht e papranueshme që edhe pas më shumë se dy dekadash, drejtësia ende nuk e ka përmbushur obligimin e saj,” theksoi ai duke shtuar se plagët e rënda të pasluftës mbeten të hapura për aq kohë sa e vërteta nuk zbardhet dhe dorasit nuk dalin para drejtësisë.
Hadergjonaj nënvizoi se kujtimi i Kolonel Tahir Zemajt dhe bashkëluftëtarëve të tij është obligim moral dhe kombëtar për të mos heshtur dhe për të kërkuar drejtësi pa kompromis.
“Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Kolonel Tahir Zemajt, Enisit dhe Hasanit,” përfundoi ai. /Kosova.info/
