Guvernatori Ismaili takohet me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, flasin për Pagesat Ndërkufitare

Në takim u fol për zhvillimet e fundit në avancimin e sistemit të pagesave si pjesë e projekteve të përbashkëta ndërmjet BB-së dhe BQK-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave dhe Remitancave.

“Diskutimi u përqendrua kryesisht në temat si përmbyllja e kornizës rregullatore dhe nxitja e zhvillimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave për të lehtësuar pagesat e shpejta vendore dhe ndërkufitare. Për më tepër, diskutimet specifike ishin rreth përgatitjeve për aplikimin e BQK-së për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe potencialit për avancime drejt integrimit me Sistemin Target të Pagesave të Shpejta e (TIPS) të Euro-Sistemit”.

“Guvernatori Ismaili falënderoi ekipin e BB-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së, ndërsa Zëvendësguvernatori Fusha i informoi ata për përpjekjet dhe përkushtimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në agjendën e modernizimit të sistemeve të pagesave. U konstatua se mbështetja e BB-së për BQK-në do të vazhdojë përmes asistencës teknike dhe përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve drejt objektivave më të larta të integrimeve SEPA dhe TIPS”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Më tej, Ismaili tha se Kosova është e përkushtuar në arritjen e objektivit të G20-së për uljen e kostove të dërigmit të remitancave.

“Ai diskutoi përpjekjet e integrimit në SEPA që synojnë standardizimin e kornizave ligjore dhe rregullatore për të ofruar pagesa më të shpejta, më të lehta dhe me kosto më efektive. Zhvillimet e infrastrukturës teknike, duke përfshirë zgjidhjet e shpejta të pagesave, premtojnë rritjen e përfshirjes financiare, efikasitetin e pagesave, formalizimin e ekonomisë dhe integrimin rajonal”.

“Në përfundim të diskutimeve, Guvernatori Ismaili rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës dhe angazhimin e saj proaktiv në nxitjen e pagesave efikase ndërkufitare, duke marrë parasysh rëndësinë dhe përfitimet për të gjithë ekonominë nga integrimi me sistemet e pagesave të BE”, thuhet në njoftim.

Go to TOP