Guvernatori i BQK-së merr pjesë në AIM, prezanton të arriturat për financat
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të AIM 2025 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai ishte pjesëmarrës në Tryezën e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore, e cila u udhëhoq nga Dr. Mohieldin i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Financim të Agjendës 2030.
Sipas njoftimit nga BQK, kjo tryezë shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve mbi sfidat dhe mundësitë ekonomike në një botë multipolare, si dhe mbi ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike në stabilitetin financiar global.
“Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë. Ai theksoi prioritetet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, adresimin e rreziqeve që burojnë nga transformimi digjital dhe teknologjitë e reja, si dhe harmonizimin e kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, ai prezantoi iniciativat për integrimin në sistemet moderne të pagesave dhe theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me institucionet financiare evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Gjatë vizitës, Guvernatori Ismaili, i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në EBA, Dr. Xhabir Hamiti, u prit në një takim zyrtar nga drejtues të lartë të Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, përkatësisht nga zëvendësguvernatorët përgjegjës për Mbikëqyrjen e Bankave dhe Sigurimeve, si dhe për Operacionet Bankare dhe Shërbimet Mbështetëse.
“Në këtë takim u diskutuan mundësitë për bashkëpunim ndërinstitucional në fusha me interes të përbashkët, si: mbikëqyrja financiare, mbrojtja e konsumatorit, parandalimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, modernizimin e sistemeve të pagesave, promovimi i përfshirjes financiare dhe bankimi alternativ, si dhe avancimi i kapaciteteve profesionale”, njofton BQK.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit dhe zgjerimit të partneriteteve strategjike mes bankave qendrore, me qëllim forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe nxitjen e inovacionit në sektorin bankar. /Kosova.info/

