​Gucati: Nuk duam padrejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Pavarësia e Kosovës po rrezikohet nga Gjykata Speciale, ka thënë kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në protestën gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahet në Prishtinë.

Para mijëra të pranishmëve, ai tha se Gjykata Speciale në Hagë është e njëanshme dhe po bën padrejtësi e gjykime politike. Gucati në protestë tha se shteti i Kosovës është tradhtuar nga Gjykata Speciale dhe se nuk i ka më besim këtij trupi.

Gucati: Po rrezikohet pavarësia jonë, Gjykata Speciale ka devijuar nga misioni i saj

“Kjo gjykatë është e njëanshme, anti-UÇK dhe anti-shtet i Kosovës. Ne kemi ditur të bëhemi bashkë gjithmonë kur është rrezikuar identiteti ynë dhe jemi bashkuar edhe sot, pasi po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës sonë. Po rrezikohet pavarësia jonë, pasi Gjykata Speciale e ka devijuar misionin e saj. Gjykata Speciale po deformon historinë tonë nën petkun e drejtësisë që e ka përdhosur. Kjo gjykatë po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri, dinjitet dhe ekzistencë njerëzore. Luftëtarët e UÇK-së ishin përgjigjja legjitime e popullit tonë të shtypur kundër një regjimi kriminal si ai i Serbisë, me në krye Millosheviqin. Lufta jonë nuk ishte vetëm për çlirim, por edhe rezistencë popullore kundër spastrimit etnik. Nuk ka gjykatë që mund ta zbehë këtë të vërtetë historike,” tha ai.

Sipas tij, Specialja po tenton të krijojë një narrativë të rreme dhe të përmbysë historinë e vendit në favor të Serbisë.

Gucati: Ne besojmë në drejtësi, por nuk duam padrejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

“Kjo gjykatë, me veprat e saj të njëanshme dhe përzgjedhje selektive të individëve, po përpiqet të përmbysë historinë në favor të Serbisë. Ajo po tenton të krijojë një narrativë të rremë, sikur Kosova është çliruar nga kriminelët, ndërsa e vërteta është tjetër. UÇK-ja, bashkë me NATO-n, e ka çliruar Kosovën nga kriminelët e Beogradit. Kjo gjykatë në Hagë po gjykon aleatët e NATO-s: Hashimin, Kadriun, baçin Jakup, Rexhep Selimin, Calin dhe Pjetër Shalën… Nga ky shesh i Prishtinës dua të bëj të qartë qëndrimin tonë për ambasadorët miq: se ne besojmë në drejtësi, por nuk duam padrejtësi… Shteti i Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës janë tradhtuar. Ne nuk kemi besim në këtë gjykatë,” përfundoi Gucati.

Ndërkaq, djali i dëshmorit Nagip Cacaj, Arbëri, tha se Gjykata Speciale po bën padrejtësi, teksa po gjykon ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Cacaj: Mua nuk më duhet kjo liri nëse vjen pa bashkëluftërët e babit tim

“Mua nuk më duhet kjo liri nëse vjen pa bashkëluftërët e babit tim. Kjo nuk është drejtësi por është poshtëri. Liri për çlirimtarët. UÇK-ja nuk është dorëzuar para Serbisë dhe UÇK-ja nuk do të dorëzohet as para Gjykatës Speciale”, tha ai.


Go to TOP