Grupet e interesit kancer i shtetit!

Shkruan: Florim ZEQA

Pse edhe përkundër ndërrimit të pushtetit, mentaliteti qeverisës po mbetet i njëjtë në Kosovë? Përgjigjen e kësaj pyetje do ta mësoni në rreshtat e mëposhtëm të këtij shkrimi analitik, krejtësisht të pavarur dhe apartiak.

Kur grupet e interesit e udhëheqin shtetin, popullin e han dreqi 

Nga secili pushtet në tjetrin nuk po ndryshon asgjë esenciale sa i përket mentalitetit qeverisës në vendin tonë, për shkak të bartjes së dukurive negative nga njëra qeveri tek tjetra. Sindroma e krijimit të grupeve të interesit dhe e nepotizmit po ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e korrupsionit endemik.

Grupet e interesit të kthyera në grupe mafioze brenda partive politike po e ndikojnë dhe kontrollojnë në vijimësi sistemin e drejtësisë në marrjen e vendimeve të shpejta dhe të (pa)drejta. Si pasojë e kësaj situate, favorizohet krimi dhe kriminelët, të cilët po e përgjakin Kosovën e lirë sikurse në kohë lufte.

Jo rrallë herë ndodhë, që si pasojë e ballafaqimit të grupeve kriminale po e pësojnë qytetarët e pafajshëm, të cilët po bien viktima të sulmeve në vende publike dhe në shtëpitë e tyre afër vendit të ngjarjeve tragjike.

Nepotizmi dhe familjarizimi ishin dukuri e të gjitha qeverive paraprake deri tek kjo e fundit. Punësimet familjare dhe ato partiake nuk u ndalen as me këtë qeveri, e cila i stërmbushi institucionet publike dhe ato shtetërore me familjarë dhe militant partiakë.

Diplomacia kosovare gjithnjë ka qenë e dominuar me njerëz të afërt të partive në pushtet, por kjo e fundit i ka tejkaluar të gjitha limitet. Dallimi i kësaj qeverie me qeveritë paraprake në caktimin e stafit diplomatik është se, në qeveritë e kaluara kishim edhe figura kredibile dhe diplomat të karrierës, ndërsa në këtë të fundit stafi diplomatik është i mbushur me anonimusa pa përvojë, pa integritet dhe pa personalitet të formësuar politik, të cilët nuk i njeh as lagjja e vet!

Por që, këta anonimusa janë të dobishëm për qeverinë, të cilët, përveçse janë servil të përkushtuar ndaj shefave të tyre, janë produkt i nepotizmit dhe korrupsionit, të cilët kanë ardhur në shprehje me mbushjen e xhepave të pushtetarëve në stilin e vjetër, “ambasador dhe konsull bëhet ai apo ajo që qet më shumë në “Defin e pushtetarëve” dhe jo vetëm, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Ngase përmes njerëzve të besueshëm nëpër ambasada dhe konsullata, pushtetarët zhvillojnë edhe aktivitetet tjera biznesore në shtetet evro-perëndimore.

Ndihmesë të mirë në këtë drejtim ju bëjnë edhe sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve pushtetarët e bëjnë më lehtë shpëlarjen e parave të pista.

Aq i fuqishëm është biznesi diplomatik në diasporë, saqë arrijnë të pasurohen edhe sekserët e pushtetarëve, të cilët brenda natës blejnë banesa në perëndim, ndërtojnë shtëpi luksoze dhe vila në Kosovë! 

Të dashur mërgimtarë, është e drejt e juaja të votoni cilin do subjekt politik që i besoni, por mos bini pre e grupeve të interesit të këtyre partive të inkriminuara deri në palcë, të cilët ju përdorin “mish për topa” (numra për vota) vetëm gjatë proceseve zgjedhore, për t’ju harruar më pas sikur të mos të kishit ekzistuar fare!

Go to TOP