“Golden Sabre 2025” përmbyllet me sukses

Ushtrimi shumëpalësh “Golden Sabre 2025”, i zhvilluar më 9 dhe 10 qershor në zonën stërvitore të Kampit Vrelo në Prishtinë, u përmbyll me sukses duke theksuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe aftësinë për të përballuar situata krize në Kosovë.

Në këtë ushtrim morën pjesë misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si dhe Policia e Kosovës. Për herë të parë pas disa vitesh, në përputhje me mandatin e saj origjinal, në stërvitje u përfshi edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve për trajtim dhe asgjësim të sigurt të mjeteve shpërthyese dhe substancave të rrezikshme.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, theksoi rëndësinë e koordinimit të ngushtë mes forcave të sigurisë: “Ushtrimi ‘Golden Sabre’ dëshmoi integrimin dhe ndërveprueshmërinë e arritur mes kontingjenteve shumëkombëshe të KFOR-it dhe partnerëve të sigurisë në Kosovë. Bashkimi i qëllimit dhe përpjekjes është thelbësor për të qenë të gatshëm ndaj çdo sfide që mund të cenojë stabilitetin rajonal.”

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe të vazhdueshme. Në këtë mision, ai bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në kuadër të përgjegjësive të tyre si reagues të sigurisë. /Kosova.info/


Go to TOP