Goditet rrjeti i mashtrimeve kompjuterike në Tiranë, 7 të arrestuar

Policia e Shtetit në Shqipëri ka finalizuar operacionin e koduar “End Point”, në kuadër të luftës kundër krimit kibernetik dhe krimit ekonomik.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Si rezultat i aksionit, janë arrestuar shtatë persona, përfshirë shtetas shqiptarë, një paraguajan dhe dy angolezë, ndërsa 27 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Mes tyre janë edhe tre shtetas të huaj nga Brazili dhe Franca.

Sipas Policisë, të dyshuarit vepronin në ambiente të përshtatura si “call center”, ku dyshohet se kryenin mashtrime kompjuterike përmes thirrjeve telefonike.

Gjatë kontrolleve të kryera me urdhër gjykate, autoritetet sekuestruan një shumë eurosh të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, 70 kompjuterë dhe 49 telefona celularë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e përfshirë kanë kryer veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Policia bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Policia e Shtetit theksoi se mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe mashtrimeve kompjuterike që cenojnë sigurinë ekonomike dhe interesin publik.

Go to TOP