Gjuriq në OKB: Serbia “nuk është pjesë e problemit”, kërkon Asociacionin dhe kritikon politikat në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar në OKB se Serbia “nuk është pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes” duke adresuar situatën në raport me Kosovën.

Në fjalimin e tij, Gjuriq tha se po flet “në emër të atyre që mbahen nën presion në Kosovë” duke pretenduar se serbët lokalë përballen me pasiguri dhe diskriminim në bazë të identitetit të tyre. Ai akuzoi qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti se, sipas tij, serbët trajtohen si “të tjerët”, ndërsa përmendi edhe pretendime për arrestime dhe “eksod të serbëve”, pa ofruar dëshmi konkrete.

Gjuriq gjithashtu shprehu shqetësime për Ligjin për të Huajt në Kosovë duke thënë se ai mund të ketë krijuar rrezik për statusin e banimit të serbëve që jetojnë prej dekadash në vend, si dhe vështirësi në qasje në shërbime publike dhe të drejta themelore.

Në fjalën e tij, ai kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke theksuar se serbët “kanë mbetur pa kornizën ligjore të premtuar”.

Megjithatë, Gjuriq theksoi se ekziston hapësirë për bashkëpunim mes dy popujve, veçanërisht në ekonomi dhe integrim evropian duke shtuar se rajoni duhet të ecë drejt stabilitetit dhe afrimit me Bashkimin Evropian. /Kosova.info/


Go to TOP