Danimarka: Kosova e Serbia të normalizojnë marrëdhëniet
Përfaqësuesja e Danimarkës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian është thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet esencial, jo vetëm për qytetarët e të dyja shteteve, por edhe për stabilitetin më të gjerë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet thelbësor për të dyja palët në avancimin e rrugëtimit të tyre evropian, një aspiratë të cilën Danimarka e përkrah fuqishëm.
Ajo ka vlerësuar se “viti 2026 ka filluar në një kontekst inkurajues për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, duke përmendur se “krijimi i komisioneve të përbashkëta për personat e zhdukur përbën hapa të rëndësishëm drejt pajtimit dhe ndërtimit të besimit”. Po ashtu, shtoi se “Danimarka i mirëpret këto zhvillime dhe është e përkushtuar ndaj angazhimit të të dyja palëve”.
Sipas saj është thelbësore që palët të ndërtojnë besim dhe të sjellin rezultate konkrete, ndërsa theksoi se marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen.
“Marrëveshjet e arritura, përfshirë ato të vitit 2017, mbeten të rëndësishme për Kosovën dhe përfshijnë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi që “Serbia të përmbahet nga pengimi i Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, duke shtuar se “marrëveshjet duhet të zbatohen me mirëbesim dhe kërkojnë hapa konkretë për të siguruar normalizim të plotë, duke përfshirë sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë”.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, ajo u shpreh se “Danimarka mirëpret edhe themelimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, duke besuar se Kosova do t’i tejkalojë sfidat dhe do të sigurojë funksionimin e duhur të institucioneve të saj”.
Ajo përgëzoi edhe zhvillimet në veri, duke thënë se “Danimarka gjithashtu përgëzon kalimin paqësor të pushtetit në komunat veriore, si hap i rëndësishëm për integrimin e komunitetit serb në kuadër të institucioneve të Kosovës”.
Në aspektin e sigurisë, ajo theksoi se e vlerësojnë faktin që situata e sigurisë ka mbetur e qetë dhe i inkurajojë të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të rrezikojë këtë stabilitet.
Në fund, ajo rikonfirmoi se Danimarka mbështet një Kosovë shumëetnike, të qëndrueshme, me aspirata evropiane dhe me integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare.
