Gërvalla në mbrojtje të Pecit: Është ministër i shkëlqyeshëm, sulmet ndaj tij janë të orkestruara nga krimi i organizuar
Bashkëkryetarja e partisë “Guxo” dhe ish ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dalë publikisht në mbështetje të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci duke e cilësuar atë si një nga figurat më të ndershme dhe më të përkushtuara të kabinetit qeveritar.
“Faton Peci është ministër i shkëlqyeshëm, sepse është punëtor i madh, i ndershëm deri në palcë, i guximshëm si rrallë kush, i ditur, i edukuar, plot integritet dhe dinjitet,” tha Gërvalla në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Ajo reagoi ashpër ndaj, siç i quajti, “fushatave të orkestruara dhe sistematike” që janë zhvilluar kundër Pecit para dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duke akuzuar për to krimin e organizuar dhe “pronarët e bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë”.
“Qytetari e njeh mirë Fatonin, e vlerëson punën dhe ndershmërinë e tij dhe prandaj me votë e ka ngritur aty ku e meriton, në mesin e më të votuarve në Republikën e Kosovës,” shtoi Gërvalla.
Ajo theksoi se, pavarësisht sfidave, asnjë sulm apo fushatë denigruese nuk do ta ndalë punën e ministrit Peci dhe ekipit të tij duke përfunduar se në fund, “qytetari është ai që na e bën vlerësimin.” /Kosova.info/
