Geci: Tradhtia sot nuk flet më serbisht – flet shqip nga foltorja e kuvendit
Aktivisti politik Halil Geci ka reaguar me tone të ashpra ndaj disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët ai i akuzon për bashkëpunim të tërthortë me interesat serbe dhe ruse duke i quajtur “vegla të armikut që flasin në emër të popullit”.
Geci thekson se nën petkun e përfaqësuesve të popullit, këta deputetë po ndihmojnë Serbinë dhe Rusinë ta godasin Kosovën nga brenda, në vend se të mbrojnë interesat kombëtare dhe të punojnë për forcimin e shtetit.
“Veprimet tuaja të liga dhe të papërgjegjshme, të nxitura nga egoja dhe servilizmi ndaj interesave të huaja, janë rrezik i hapur për sigurinë dhe ekzistencën e Republikës së Kosovës,” thotë ai duke i akuzuar për sabotim të ngritjes së kapaciteteve ushtarake dhe bojkot të institucioneve shtetërore në linjë me qëndrimet e Rusisë në OKB.
Ai e cilëson këtë sjellje si akt tradhtie dhe paralajmëron se secili deputet do të mbahet përgjegjës politikisht, moralisht dhe historikisht.
“Mos harroni: vota e popullit nuk është licencë për me shitur Atdheun,” përfundon Geci duke u bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos votojnë për “tradhtarët”, sepse “tradhtia sot nuk flet më serbisht – flet shqip, nga foltorja e Kuvendit.” /Kosova.info/
