Geci: LDK t’ia votoja Qeverinë e pakicës LVV-së, por jo koalicion me PDK-në
Ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së, Gani Geci, ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me opsionet politike për formimin e qeverisë së ardhshme në Kosovë.
Geci ka thënë se nëse do të varej prej tij, do t’i sugjeronte LDK-së ta votonte një qeveri të pakicës të mbështetur nga LVV, por pa hyrë në koalicion me ta.
“Me më dëgju mua LDK-ja, unë iu kisha votu Qeverinë e pakicës pa koalicion LVV-së. Ndërsa nuk ia kisha votu asnjë nga ligjet majtiste, por Qeverinë ia kisha votu. A po don pushtet, qe pushteti”, u shpreh Geci.
Ai theksoi se megjithëse ka dallime ideologjike me LVV-në, për të kjo parti nuk ka qenë përgjegjëse për vrasjet politike pas luftës.
“Me LVV kemi dallime ideologjike, por LVV-ja nuk na ka vra! PDK dhe LVV janë brumë i njëjtë, ideologjinë e kanë të njëjtë. PDK dyshohet se na kam vra dhe na kanë sha pas lufte,” deklaroi ai.
Geci u shpreh i vendosur se nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje politike me PDK-në, duke e konsideruar këtë çështje parimore.
“Unë jam parimor, Po-en e kam Po, Jo-n e kam Jo,” përfundoi ai.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të rëndësishëm politik, ndërsa subjektet opozitare po diskutojnë për bashkëpunime të mundshme për zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/
