Gashi: Rezolutë pa substancë e pa guxim institucional
Ish deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar ashpër rezolutën e miratuar mbrëmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës duke e cilësuar atë si një dokument “pa substancë, pa guxim dhe pa qëndrim të qartë politik”.
Sipas Gashit, në një moment kur pritej qartësi dhe vendosmëri institucionale, Kuvendi prodhoi një rezolutë të përgjithshme dhe pa përmbajtje konkrete, që, sipas tij, më shumë ngjan me deklaratë protokollare sesa me akt politik me peshë.
Ai theksoi se dokumenti rikonfirmon parime të përgjithshme si respektimi i Kushtetutës, standardeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, por nuk adreson çështjet reale që kanë ngritur shqetësim serioz juridik dhe politik në opinionin publik.
Gashi ngriti katër mungesa kryesore në rezolutë. Së pari, ai kritikoi faktin që dokumenti nuk kërkon ndalimin e përdorimit si provë të materialeve të prodhuara nga institucionet e Serbisë apo nga struktura që kanë bashkëpunuar me to. “Heshtja për këtë çështje është lëshim serioz”, theksoi ai.
Së dyti, deputeti i LDK-së vlerësoi se, ndonëse rezoluta flet për proces të drejtë, ajo nuk përcakton mekanizma konkretë për garantimin e tij, si standarde të qarta për kohëzgjatjen e paraburgimit, barazinë e palëve dhe transparencën ndaj publikut.
Po ashtu, Gashi kritikoi mungesën e një qëndrimi të qartë ndaj gjuhës juridike të përdorur nga Prokuroria e Specializuar duke thënë se në disa raste formulimet kanë tejkaluar kornizën e akuzës dhe kanë krijuar perceptim të fajësisë kolektive para vendimit gjyqësor.
Një tjetër pikë që ai e konsideroi thelbësore ishte mungesa e një kërkese për themelimin e një trupe të veçantë shtetërore për hetimin dhe zbardhjen e vrasjeve politike të viteve 1998–2005 duke theksuar se pa adresimin e krimeve të pasluftës, drejtësia mbetet selektive dhe e paplotë.
“Në vend të dokumenteve simbolike, Kosova ka nevojë për qëndrime të qarta dhe akte që prodhojnë pasoja juridike dhe politike. Një rezolutë që thotë gjithçka në mënyrë të përgjithshme, në fakt nuk thotë asgjë”, ka përfunduar Gashi. /Kosova.info/
