Gashi: Ose zgjidhet Presidenti sonte, ose vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve
Ish deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar rreth moszgjedhjes së Presidentit/es duke e cilësuar atë si pasojë të mungesës së pjekurisë politike dhe përgjegjësisë institucionale.
Sipas tij, gjendja aktuale po shoqërohet me inate personale, emocione negative dhe mungesë të ndjeshmërisë ndaj momentit politik ndërkombëtar në të cilin ndodhet Kosova.
Gashi thekson se nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet Presidenti/Presidentja, vendi hyn automatikisht në proces të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.
Ai ka renditur tri situata të qarta kushtetuese që çojnë në zgjedhje:
Në afatin normal kushtetues, nëse Presidenti/ja nuk zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.
Në rast të përfundimit të parakohshëm të mandatit, Presidenti/ja duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve, përndryshe shpallen zgjedhje.
Në rast ndërprerjeje të mandatit dhe mungesë të Kuvendit funksional, detyrën e ushtron Kryetari/ja e Kuvendit deri në konstituimin e ri.
Duke komentuar idetë për amendamente kushtetuese, Gashi i ka quajtur ato manovra politike për simpati momentale duke theksuar se procesi i ndryshimeve kushtetuese kërkon vlerësim nga Gjykata Kushtetuese dhe votim me shumicë të dyfishtë 2/3 në Kuvend, përfshirë edhe votat e komuniteteve joshumicë – një proces që, sipas tij, zgjat me muaj.
Ai ka përmendur edhe rekomandimet e Komisioni i Venecias, sipas të cilave rregullat kushtetuese apo zgjedhore nuk duhet të ndryshohen të paktën gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.
Në fund, Gashi ka qenë i prerë: “Ose zgjidheni Presidentin deri në mesnatë, ose nesër shpallen zgjedhjet që duhet të mbahen brenda 45 ditëve” duke shtuar se bllokadat institucionale dhe krizat artificiale dëmtojnë interesin shtetëror të Kosovës. /Kosova.info/
