Gashi: Mbi 200 mijë qytetarë presin një LDK autentike, politika duhet ta dëgjojë mesazhin e elektoratit
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit kanë dhënë dy mesazhe të qarta për skenën politike në Kosovë duke theksuar se qytetarët kanë refuzuar politikat që, sipas tij, kanë dështuar në komunikim, qeverisje dhe bashkëpunim.
Përmes një reagimi publik, Gashi tha se rezultati zgjedhor përfaqëson një mesazh të fuqishëm kundër arrogancës, përçarjes dhe izolimit politik.
“Qytetarët e Kosovës refuzuan në mënyrë masive një politikë të paaftë për të komunikuar, për të qeverisur dhe për të bashkëpunuar. Ky nuk është vetëm një rezultat zgjedhor; është një mesazh i fuqishëm kundër arrogancës, përçarjes dhe izolimit”, ka deklaruar ai.
Sipas Gashit, politika duhet ta kuptojë këtë refuzim si shenjë të lodhjes së qytetarëve duke paralajmëruar se mosreflektimi mund ta thellojë edhe më shumë krizën e besimit ndaj institucioneve dhe partive politike.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se LDK-ja dëshmoi edhe një herë stabilitetin e saj organizativ duke falënderuar aktivistët, anëtarët dhe votuesit për mbështetjen e vazhdueshme.
“LDK dëshmoi edhe një herë se mbetet forca politike me strukturën më të qëndrueshme në Kosovë. Aktivistët, anëtarët dhe votuesit tanë e mbajtën gjallë me sakrificë besimin dhe votën”, u shpreh Gashi.
Megjithatë, ai theksoi se besimi i qytetarëve duhet të shoqërohet me reflektim dhe veprim konkret brenda partisë.
“Duhet të debatojmë me maturi, të vendosim me mençuri dhe të veprojmë me vendosmëri. Vetëm kështu do ta rikthejmë besimin e atyre qytetarëve që sot ende na shikojnë me pritje”, tha ai.
Gashi vlerësoi se mbi 200 mijë qytetarë që nuk morën pjesë në procesin zgjedhor presin një alternativë të besueshme politike dhe një LDK autentike, përfaqësuese dhe besnike ndaj idealeve rugoviane.
Në fund të mesazhit të tij, ai falënderoi votuesit, aktivistët dhe mbështetësit e LDK-së duke theksuar besimin e tij në të ardhmen e Kosovës.
“Elektorati foli. Tani radha është e politikës të dëgjojë”, përfundoi Gashi. /Kosova.info/
