Kurti: Pesë marrëveshje me Francën forcojnë partneritetin dypalësh

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ministrin e Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.

Kurti ka bërë të ditur se vizita e ministrit francez vjen pas takimit të tij me presidentin francez Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize, ndërsa ka theksuar se angazhimi i përbashkët mes dy vendeve u konkretizua me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Sipas Kurtit, marrëveshja për ekstradim dhe ajo për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale do të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë në luftën kundër krimit dhe garantimin e llogaridhënies.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e marrëveshjes së kredisë prej 60 milionë eurosh dhe themelimit të Komitetit Francë–Kosovë, të cilat do të mbështesin investimet infrastrukturore, përgatitjet dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe trashëgiminë afatgjatë të kësaj ngjarjeje.

Ndërkaq, marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge, sipas Kurtit, do të zgjerojë mundësitë për mësimin e kësaj gjuhe dhe do ta afrojë më tej Kosovën me hapësirën frankofone.

Gjatë takimit, palët diskutuan për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Kurti ka bërë të ditur se ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

“Marrëveshjet e nënshkruara sot dëshmojnë se partneriteti ynë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në projekte, investime dhe rezultate konkrete për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP